Marrëveshje Toyota-Mazda – Do të hapin fabrikë të përbashkët në SHBA, për $1.6 mld

Toyota njoftoi së fundmi se ka arritur një marrëveshje me kompaninë tjetër japoneze të makinave, Mazda, pas dy vitesh negociata.
Kjo marrëveshje parashikon një investim prej 1.6 miliardë dollarësh për ndërtimin e një fabrike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Toyota do të blejë kështu aksione përfaqësimi te Mazda, dhe kjo e fundit te Toyota.
Marrëveshja ka në bazë të saj bashkimin e forcave dhe zhvillimin në këtë mënyrë të makinave elektrike. Në të ardhmen, kjo aleancë mund të forcohet edhe më tej, thonë dy shtëpitë prodhuese.
Në planin operacional ndërkohë, fabrika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëhet aktive në vitin 2021 dhe do të krijojë rreth 4 mijë vende të reja pune. Kjo gjë është përshëndetur edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Mazda aktualisht nuk ka asnjë njësi prodhimi në Shtetet e Bashkuara dhe tregu amerikan i importon makinat nga Meksika dhe Japonia.
Në njësinë e re me Toyotan do të prodhohen kryesisht modelet 4X4 dhe fuoristradat, ndërkohë që Toyota do të prodhojë modelin Corolla, rreth 300 mijë njësi në vit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.