Marrëveshjet tregtare me Gjermaninë – Rreth 3 milionë euro investime për menaxhimin e mbetjeve
Takimet e zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane në verën e vitit të kaluar duket se janë konkretizuar me lidhjen e disa marrëveshjeve bashkëpunimi.
Nisma e fundit e qeverisë e votuar në Komisionin e Ligjeve ishte votimi i projektligjit për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta dhe ekonomia ricikluese në respekt të mjedisit”.
Zëvendësministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu, tha se qëllimi i projektit është të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta.
“Qeveria gjermane akordon një shumë prej 3 milionë eurosh si kontribut gjerman, i cili do të vihet në zbatim për projektin e ‘manaxhimit të integruar të mbetjeve të ngurta dhe ekonomia ricikluese në respekt të mjedisit’. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, kryesisht duke patur në konsideratë aspektet klimatike. Pritet të zhvillohet në nivel kombëtar, ku përfshihen tre ministri, në nivel lokal tre bashki: Himara, Peqini dhe Rrogozhina“, tha Xhaxhiu.
Një tjetër marrëveshje e votuar në Komisionin e Ligjeve mes Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë ishte projekti për “Ruajtjen e agrobiodiversitetit në Shqipërinë rurale”.
Qeveria gjermane vë në shërbim të këtij projekti një shumë prej 500 mijë eurosh.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.