Marrim pak, japim shumë! – Eurostat: Shqipëria e parafundit në rajon për të marrë para’, e dyta për të dërguar
Shqiptarët kanë marrë 872 milionë euro nga vendet e Bashkimit Europian në formë transfertash personale përgjatë 2017-ës, si dhe kanë dhënë 72 milionë euro. Të dhënat e Eurostat të përpunuara nga `Scan` tregojnë se, mesatarisht kjo përkthehet në 303 euro për frymë, para të marra, dhe vetëm 25 euro të dërguara. Kur bëhet fjalë për të marrë, shqiptarët janë të parafundit në rajon, në krahasim me popullsinë, pasi për Kosovën norma fiksohet në 421 euro për frymë, duke u renditur e para, për Serbinë në 340 euro për frymë, për Malin e Zi në 322 euro për frymë dhe për Maqedoninë vetëm 97 euro për frymë.
Paçka se marrin më pak për frymë në krahasim me fqinjët, shqiptarët janë ndër ata që japin më shumë, më saktësisht në vend të dytë në rajon, pas Malit të zi me 58 euro për frymë. Pas Shqipërisë që është me 25 euro, ndjek Serbia me 23 euro për frymë, Kosova me 19 euro për frymë dhe Maqedonia, vetëm e fundit me 9 euro për frymë. Maqedonia renditet e fundit si për të marrë ashtu edhe për të dhënë para.
Të dhënat i referohen vetëm vendeve të Bashkimit Europian dhe tregojnë qartë se tendenca në vendin tonë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, me remitancat që nuk kanë më të njëjtën peshë si më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.