Marrin vrull protestat në Liban – Kërkohet rrëzimi i qeverisë prej korrupsionit dhe krizës ekonomike
Protestat në Liban janë kthyer në një shfaqje gjigante kundër elitës sunduese, ndërkohë që qindra mijëra persona kërkojnë rrëzimin e një sistemi që e shohin si të korruptuar dhe që ka dështuar të trajtojë krizën ekonomike.
Protestuesit bllokuan rrugët për të katërtën ditë radhazi duke bërë thirrje për revolucion, ndërkohë që protestat ngjasonin me revoltat arabe të vitit 2011, që rrëzuan katër presidentë. Skena të ngjashme me festivale mbuluan vendin, nga Bejruti e deri tek qytetet e largëta, ndërkohë që protestuesit këndonin këngë patriotike dhe kërkonin largimin e liderëve të tyre.
Protestat kundër Qeverisë, të nxitura nga kushtet e vështira ekonomike dhe korrupsioni, kanë marrë vrull në të gjithë vendin nga 17 Tetori.
Dyshohet se shkaku kryesor i kryengritjeve është planifikimi i rritjes së taksave ndaj benzinës, duhanit dhe telefonatave në rrjet, përfshirë WhatsApp.
Protestat shpërthyen menjëherë pas bisedimeve të kabinetit për taksat, që do ratifikoheshin më vonë gjatë muajit Tetor.
Qeveria kishte lajmëruar një tarifë ditore prej 20 cent për telefonatat e bëra nëpërmjet WhatsApp dhe aplikacioneve të tjera dhe e braktisi planin më vonë prej përplasjes së protestuesve me forcat e sigurisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.