“Marshon” tregtia kineze – Eksportet dhe importet injorojnë “luftën” tregtare

Eksportet dhe importet kineze u rritën ndjeshëm gjatë muajit të kaluar, tregojnë të dhënat më të fundit që vijnë nga vendi, e që sinjalizojnë një kërkesë të lartë nga brenda e jashtë vendit, pavarësisht përkeqësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksportet u rritën kështu me 7.9% gjatë Gushtit në vlerë, thonë të dhënat zyrtare nga doganat.
Pritshmëritë flisnin për një rritje me vetëm 5.7%. Importet ndërkohë u rritën me 18.8%, duke bërë që suficiti tregtar të fiksohet në 26.3 miliardë dollarë. Këto të dhëna vijnë në një kohë që tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përshkallëzuar ndjeshëm së fundmi. Presidenti Trump duket se i ka vënë syrin një lufte totale tregtare me Pekinin.
Negociatat mes palëve duket se nuk po shkojnë kurrkund. Ekspertët janë të bindur se Shtetet e Bashkuara do ta përshkallëzojnë luftën tregtare. por nga ana tjetër, ata shprehen të bindur edhe se Kina do të arrijë ta zhbëjë efektin negativ të këtij sulmi nga Washingtoni.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.