‘Masa historike’: Spanja miraton ndihmën financiare shtesë për rreth 2.3 milionë njerëz me të ardhura minimale
Qeveria e Spanjës miratoi të Premten futjen e “të ardhurave minimale jetike” për t’u dhuruar 850,000 familjeve më të rrezikuara të vendit. Kryeministri Pedro Sanchez, nga Partia Socialiste në pushtet, e përshkroi atë si “masë historike”, duke shtuar: “një vend nuk përparon nëse lë pjesë të popullatës së tij jashtë”. Ai tha se kjo do të “mbrojë ata që po kalojnë kohën më të keqe, duke luftuar varfërinë dhe duke kontribuar kështu në rimëkëmbjen ekonomike të vendit”.
Zëvendëskryeministri Pablo Iglesias, nga Partia e majtë Podemos, e cila ka mbrojtur një skemë të tillë për më shumë se një vit, tha se zbatimi i masës është përshpejtuar për shkak të krizës ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19. “Nuk ka liri nëse nuk mund t’i përmbushësh qëllimet,” tha ai gjatë një konference për shtyp të mbajtur pasi kabineti dha aprovimin e tij zyrtar.
Kush përfiton?
Për ta përfituar atë, familjet duhet të dëshmojnë se janë në një situatë të cenueshme me pagë mujore nën 200 euro ose nëse të ardhurat mesatare në familje janë më pak se 450 euro për person.
“Të ardhurat minimale jetësore” mund të grumbullohen me punë të paguar, si dhe përfitime të tjera shtetërore, siç është mbështetja e papunësisë. Qeveria shpreson se do t’i inkurajojë njerëzit të mbesin ose të vazhdojnë të kërkojnë punë.
Në praktikë, nëse një anëtar i familjes fiton më pak se 200 euro në muaj dhe partneri i tyre fiton 600 euro në muaj – që do të ishte mesatarisht 400 euro për person – ata do të kishin të drejtë për ndihmën e re.
Emigrantët që kanë jetuar në Spanjë për më shumë se një vit gjithashtu mund të kërkojnë përfitimin e ri edhe pa pasur leje qëndrimi nëse personi ka qenë viktimë e abuzimit ose trafikimit.
Gjithsej 850,000 familje pritet të përfitojnë nga masa e re. Qeveria ka treguar që rreth 100,000 familje mund të regjistroheshin automatikisht nga qershori. Të rriturit midis 23 dhe 65 vjeç që jetojnë vetëm mund të përfshihen në masën e re. Në total, rreth 2.3 milion njerëz pritet të përfitojnë. (Euronews)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.