Masa konkrete, Xhafaj: Përmirësojmë situatën e të miturve në kontakt me policinë

“Të drejtat e fëmijëve do të jenë në fokusin e Ministrisë së Brendshme jo vetëm për të zbatuar detyrimet kushtetuese, konventore dhe ligjore por edhe për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme situatën e të miturve në kontakt me policinë”, deklaroi ministri Fatmir Xhafaj gjatë konferencës së përbashkët me ministrinë e Drejtësisë dhe Shëndetësisë në ditën universale të fëmijëve.
“Të mbledhur në përvjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve na duhet të pranojmë njëzëri se kjo Konventë është një ndër instrumentet më të rëndësishëm ligjorë në fushën e drejtësisë për të mitur. Shqipëria ka patur dhe vazhdon të ketë një angazhim aktiv, përsa i përket përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve, lidhur me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve, për të rritur standardet e trajtimit të fëmijëve”.
Edhe në dokumentin e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme për këtë mandat të dytë janë parashikuar masa për të treguar drejtësi miqësore ndaj të miturve nga ana e Policisë së Shtetit:
-Ndryshimin cilësisht të sistemit të kontrollit të territorit dhe policimit në komunitet, në funksion të parandalimit të kriminalitetit dhe shkeljeve të ligjit, duke synuar uljen në mënyrë të ndjeshme të numrit të personave të përfshirë në vepra penale të lehta dhe shkelje të ligjeve dhe sidomos për uljen e numrit të të miturve dhe të rinjve të përfshirë në aktivitet kriminal;
-Rritjen e vëmendjes për parandalimin dhe trajtimin e veprave penale të lehta dhe sjelljeve anti-shoqërore, reagimin më efikas ndaj rasteve të dhunës në familje dhe abuzimeve me të miturit, duke synuar që të dëmtuarve t’u sigurohet një trajtim i kujdesshëm dhe referim për asistencë në institucionet përkatëse.
Masat konkrete që parashikohen:
-Fuqizimin e shërbimit të psikologut/sociologut në strukturat e Policisë së Shtetit;
-Intensifikimin e programeve të edukimit publik në shkolla përmes një bashkëpunimi shumë më efektiv me institucionet e arsimit dhe organizatat e shoqërisë civile;
-Zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese në lidhje me rëndësinë e masave parandaluese, kryesisht në drejtim të përfshirjes në kriminalitet apo përdorimin nga krimi i organizuar sidomos të të miturve dhe të rinjve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.