Masat anti-COVID / 985 inspektime, ISHSH gjobit 17 subjekte: Nuk zbatuan protokollet e sigurisë
985 inspektime janë kryer nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në subjekte të ndryshme, për zbatimin e protokolleve të përcaktuar me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19 në vend. Të dhënat i përkasin 24 orëve të fundit, teksa janë marrë 17 masa administrative në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos marrë masat mbrojtëse, mos respektuar distancimin social dhe duke mos-zbatuar protokollet e miratuara.
Numri më i madh i gjobave është vendosur për shkelje të konstatuara nga markete, supermarket e dyqane ushqimore, me 9 gjoba, ndërkohë që 3 gjoba janë vendosur në furra buke e piceri. Nuk kanë munguar as masat administrative për baret e restorantet, depot farmaceutike apo taksitë. Referuar të dhënave të Inspektoratit Shtetërore Shëndetësor numri më i madh i inspektimeve është kryer nëpër bare dhe restoranet, me 434 kontrolle, ndërkohë që 237 kontrolle janë kryer nëpër pikat e shitjeve të produkteve ushqimore. Ky dikaster bën me dije se është çdo ditë në terren për të siguruar zbatimin e udhëzimeve të protokolleve, ndërsa thekson se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo subjekti. Gjithashtu, bëhet me dije se inspektimet dhe monitorimi vijojnë në të gjithë qarqet e vendit, por kërkohet vetë-ndërgjegjësim i të gjithë subjekteve dhe qytetarëve sepse respektimi i masave i shërben shëndetit të të gjithëve.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.