Masat për makinat e vjedhura – Sadushi: Do kontrollojmë online dokumentacionin e mjetit

Asnjë makinë nuk do të mund të blihet ose të shitet pa u verifikuar fillimisht nga noterët, nëse është e vjedhur apo ka detyrime të papaguara. Kreu i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi, thotë se Ministria e Drejtësisë po implementon një sistem të ri elektronik, i cili do të ketë akses të drejtpërdrejtë në të dhënat e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.
“Synojmë që të marrim ato vërtetimet e gjobave, të detyrimeve të qytetarëve në rast të transaksioneve të pasurive të paluajtshme, pranë drejtorisë së përgjithshme të automjeteve dhe ndoshta dhe një vërtetim po nga kjo drejtori, të paktën nga ato sa kemi biseduar deri më tani, që të vërtetojë faktin nëse automjeti është ose jo i vjedhur dhe më pas noteri të ketë të drejtën që të bëjë transaksionin”, tha Sadushi.
Sistemi do të funksionojë në të njëjtën mënyrë si ai që aplikohet prej dy vitesh në tregun e pasurive të paluajtshme, përmes të cilit noterët verifikojnë në kohë reale statusin ligjor të pronës në shitje.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.