Masat për sezonin turistik – Qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24 orë
Për herë të parë pranë plazhit të Tales në Lezhë është hapur një qendër shëndetësore verore në shërbim të pushuesve të shumtë ditorë që frekuentojnë këtë plazh. Ministrja Manastirliu pa nga afër qendrën shëndetësore , e cila ofron shërbim 12 orësh.
“Nisur nga nevoja që ka patur vitin e kaluar dhe kërkesat e vazhdueshme për shkak të frekuentimit të lartë ditor të plazhit të Tales vendosëm hapjen e kësaj qendre verore si dhe vendosjen e një autoambulance fikse në zonën e plazhit. Janë 26 qendra verore që janë në dispozicion të pushuesve 24/7 në zonat turistike, për një sezon turistik të sigurt”, tha Manastirliu.
Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon edhe procesin e dezinsektimit pranë zonave turistike. Deri tani janë kryer rreth 40 trajtime nga veriu në jug të vendit dhe ky proces do të vijojë deri në muajin shtator, për të garantuar një sezon turistik të sigurt.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.