Masat shtrënguese, ku renditet Shqipëria? Të 36-tët në botë! Mes 2 dhe 11 nëntorit, kemi shijuar “lirinë” maksimale

Nga “Scan Intelligence Unit”
Universiteti i Oxfordit ka ngritur platformën më gjithpërfshirëse sa i përket masave shtrënguese duke vlerësuar thuajse çdo cep të botës sipas masave shtrënguese në fuqi, si dhe ecurinë e tyre ditë pas ditë, që prej shpërthimit të pandemisë. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe përpunuar këto të dhëna për të kuptuar se si ka qenë ecuria e masave shtrënguese në vendin tonë që prej konfirmimit të rastit të parë. Ajo që vihet re nga shifrat dhe nga grafiku është fakti se kulmi i indeksit (nga 0-100, ku 100 tregon masa shtrënguese totale) në vendin tonë ka qenë gjatë periudhës mes 19 prillit dhe 16 majit, me një lexim në rreth 89 pikë. Aktualisht, më 3 dhjetor, ky indeks regjistrohet në 65.74 pikë. Duke parë kronologjinë e situatës, vëmë re se që nga konfirmimi i rastit të parë janë deshur të kalojnë disa ditë përpara se Shqipëria të aplikojë masa shtrënguese disi drastike. Mes 2 dhe 11 nëntorit ndërkohë, shqiptarët kanë shijuar nivelin më të lartë të lirisë që prej 12 marsit.
Mes 178 vendeve të marra në analizë, vetëm 130 prej tyre kanë në fuqi masa shtrënguese. Po si renditet Shqipëria krah tyre? Mbajmë vendin e 36-të në botë në një renditje ku vend i parë i referohet shtetit që ka masat shtrënguese më të ashpra në fuqi ndërsa vendi i fundit shtetit me masat më të lehta. Të dhënat janë grumbulluar deri në fund të muajit nëntor, saktësisht deri më 26 nëntor.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.