Mashtrimet me kartat bankare – BQE: Bien në total për 2016-ën. Rriten vjedhjet në transaksionet online
Banka Qendrore Europiane bëri të ditur në një raport se gjatë vitit 2016, 1 euro në çdo €2,429 të shpenzuara me karta kreditit dhe debiti, ka humbur nëpërmjet mashtrimeve. Vlera totale e transaksioneve të kësaj kategorie me karta të emetuara brenda Zonës së Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA), arriti në €1.8 mld në vitin 2016, në rënie me 0.4% nga 2015-a. Raporti i BQE tregoi se 73% e mashtrimeve nëpërmjet kartave ka ndodhur në pagesat ku personi nuk është prezent, kryesisht në përdorimet online, 19% nga transaksionet në pikat e shitjeve (POS) dhe 8% nga transaksionet në bankomate (ATM).
Viti 2016 regjistroi një rënie të theksuar në mashtrimet në bankomate, prej 12.4% dhe një tkurrje me 3% në transaksionet në pikat e shitjes, krahasuar me vitin e shkuar. Nga humbjet totale, mashtrimet online përbënin të vetmen kategori që ka pësuar rritje nga viti i kaluar, me 2.1%. Megjithatë, pritet që pagesat në tregtinë online të bëhen më të besueshme, ndërkohë që masat e sigurisë në Industri janë shtuar. Rënia e falsifikimit të kartave dhe përdorimit të kartave të vjedhura dhe të humbura, kombinuar me metodën “Çip dhe Pin”, shpjegojnë rënien e mashtrimeve në ATM dhe Pikat e Shitjeve.
Sipas të dhënave të BQE, kartat e emetuara brenda zonës së përbashkët të pagesave në euro dhe të përdorura jashtë, kanë qenë më pak subjekt i vjedhjeve, gjë që siguron europianët kur udhëtojnë jashtë. Mashtrimet online janë rritur në mënyrë të natyrshme ndërkohë që shërbimet dixhitale janë zhvilluar dhe sofistikuar.
Tipet më të zakonta të vjedhjeve online të raportuar janë “mashtrimi i pastër”, ku merren të detaje të kartëmbajtësit si sigurimi 3D dhe kredencialet e verifikimit të adresës si dhe në rastin e “vjedhjes së identitetit”, ku vidhen të dhënat personale të kartës në mënyrë që të bëhen transaksione të paautorizuara online. Megjithatë, në vitet e fundit ka pasur rritje në kategorinë “mashtrim miqësor”, ku paguesi bën një transaksion të rregullt dhe më pas pohon se karta e tij është përdorur nga të huaj dhe kërkon paranë mbrapsht.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.