Mashtrimi me rimbursimin e TVSH – Bie numri i skemave, 3 në vitin 2016 nga 11 në vitin 2014
Gjatë vitit 2016 Prokuroria e Përgjithshme ka raportuar zbardhjen e tre skemave të mashtrimit me Rimbursimin e TVSH-së. Numri i personave të dyshuar për ngritjen dhe zbatimin e këtyre skemave ka qenë tre, ndërkohë që dy prej tyre janë dënuar për veprën e organizimit të skemave mashtruese, nëpërmjet mospagimit, kreditimit apo rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar.
Numri i skemave të mashtrimit me TVSH-në ka ardhur në rënia vitet e fundit. Rekordi i mbetet vitit 2014, vit në të cilin aksioni kundër informalitetit ishte në kulmin e tij.
Në atë vit prokurorët kanë hetuar plot 11 skema mashtrimi me rimbursimin e TVSH-së ku u përfshinë 9 të pandehur, por me vetëm një të dënuar. Në vitin 2015 u hetuan 7 skema mashtrimi, por nuk pati asnjë të dënuar.
E megjithatë hetimet dhe dënimet nga prokuroria janë shumë të ulëta duke parë numrin shumë të lartë të raportimeve nga ana e tatimeve.
Në kulmin e aksionit kundër evazionit, autoritetet tatimore referuan në prokuroritë e rretheve gjyqësore 247 çështje penale me vlerë dëmi 122 milionë dollarë ose 12.2 miliardë, ku të përfshirë ishin 456 autorë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.