Mashtrimi për pasaporta bullgare – Arrestohen autorët që përfituan 40 mijë euro
Arrestohen dy shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar 25 persona të ndryshëm, duke u marrë në total një shumë prej 40 000 Euro, nëpërmjet premtimeve se do t’i pajisnin me pasaporta të shtetësisë bullgare.
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit “Shtetësia” duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, Armando Kitai, 52 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për drejtim automjeti pa Leje Drejtimi si edhe Fatina B., 25 vjeçe, lindur në Gjirokastër dhe banuese në Tiranë.
Dy personat u vunë në pranga nën akuzën për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarve iu sekuestruan 2 aparate celularë dhe 112 dokumente të ndryshme si: Certifikata personale dhe familjare, fotokopje të kartave të identitetit dhe Pasaporta, fotografi për dokumente, kopje të ekstrakteve të llogarive bankare etj.
Policia bëri të ditur se materialet proceduriale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës , për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve i kryer në bashkëpunim”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.