‘Maska e detyrueshme edhe për fëmijët’ – Britania ndryshon rregullat e sigurisë nëpër shkolla
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka ndryshuar këshillat për mbulimin e fytyrës në shkollë për fëmijë në klasë të 7 ose më lart. Në një deklaratë të fundit, Sekretari i Arsimit Gavin Williamson tha se fëmijët e moshës 12 ose më lart, si dhe të rriturit, duhet të mbajnë maska në shkollë në zonat e bllokimit të Anglisë – të cilat përfshijnë qytetet e Leicester dhe Luton, si dhe zonën e Madhe të Mançesterit.
Maska do të kërkohet vetëm në korridoret e shkollave dhe zonat komunale – “aty ku distancimi social është i vështirë për tu mbajtur” – por jo në klasë, “kur masat mbrojtëse tashmë nënkuptojnë se rreziqet janë më të ulëta, dhe ku mund të pengojnë të mësuarit”.
“Shpresoj se këto hapa do t’u sigurojnë prindërve, nxënësve dhe mësuesve siguri të mëtejshme”, tha Williamson. Masa do të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Ndryshimi i këshillave vjen pas vendimit të Organizatës Botërore të Shëndetit për të rekomanduar maska për fëmijët e moshës 12 vjeç ose më lart “në të njëjtat kushte si të rriturit”, veçanërisht, nëse “ata nuk mund të garantojnë të paktën një distancë prej 1 metri nga të tjerët dhe ka një transmetim të gjerë në zonë “.
Sidoqoftë, shkollat që nuk janë në zonat e bllokimit, do të kenë ende “diskrecion” për t’i bërë maskat të detyrueshme në zonat komunale, “nëse besojnë se është e drejtë në rrethanat e tyre të veçanta”.
Brenda Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me virusin në Europë, shkollat skoceze u rihapën së pari, e ndjekur nga ato në Irlandën Veriore, ndërsa shkollat në Angli dhe Uells do të rihapen në shtator.
Pas ndryshimit në udhëzimet e OBSH-së, qeveria skoceze konfirmoi më herët se po u jepte “udhëzime të detyrueshme” studentëve të shkollave të mesme për të veshur maska fytyre kur lëviznin nëpër shkolla duke filluar nga e hëna.(EN)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.