Maskat e pambukut, më efektive ndaj Covid, Studimi: “Lagështira e frymës i bën më të mira se sintetiket, si N95”
Maskat e pambukut që thithin lagështirën nga frymëmarrja e njeriut janë 35% më efektive në kapjen e grimcave se sa kur janë të thata, duke i kthyer në një zgjedhje më të mirë se maskat sintetike, për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Maskat sintetike nuk patën ndryshim në ndalimin e grimcave kur ishin të lagura e për rrjedhojë, performuan më dobët se maskat e pambukut, sipas një studimi të Institutit Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë në SHBA. Fibrat e pambukut absorbojnë sasi të vogla të ujit nga frymëmarrja e personit, duke krijuar një mjedis të lagësht brenda maskës. Ndërkohë që grimcat mikroskopike kalojnë përmes maskës, ato absorbojnë një pjesë të lagështirës dhe bëhen më të mëdha, ç’ka rrit gjasat që të ngecin brenda maskës, sipas studimit. Sipërfaqet sintetike nga ana tjetër, nuk e përthithin lagështirën, duke bërë që efektshmëria e filtrimit, apo e kapjes së grimcave, të mos ndryshojë në kushte të lagështirës. Studimi testoi disa pëlhura me shtresë të dyfishtë, nën kushte që imitojnë lagështirën e frymës së një personi, duke i mundësuar hulumtuesve që të masin se si copëzat performojnë kur vendosen tek një person. Ato vendosën copëzat në kuti të vogla ku ajri ruhej në një lagështirë prej 99%, në mënyrë që pëlhura të mund të bëhej aq e lagur sa kur një person nxjerr frymën. Për krahasim, seti i dytë i copëzave u përgatit në një lagështirë prej 55%. Të gjithë materialet u vendosën më vonë përballë një tupi që nxirrte ajër me të njëjtën shpejtësi si nxjerrja e frymës nga një person. Hulumtuesit më pas matën numrin e grimcave në ajër përpara dhe pasi kaluan përmes çdo pëlhure. Sipas matjeve, nën kushte të lagështa, efikasiteti i filtrimit në 9 llojë të fanellave të pambukut, u rrit nga 12% në 45%, me një rritje mesatare prej 35%. Tek 6 llojet e pëlhurave sintetike të testuara ishin najloni, poliestër dhe sateni, ku të 6-a performuan më dobët se pambuku. Hulumtuesit theksuan se maska mjekësore dhe e famshmja N95, ofronin të njëjtin efikasitet të filtrimit nën kushte të ulëta dhe të larta të lagështirës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.