MASR, 66.14% dokumente më pak – Nikolla: Nisma ul kostot financiare, nxit shërbimet online
Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit në kuadër të reformës së deregullimit, ka bërë të mundur që të eliminojë 66.14% të dokumenteve që kërkoheshin më parë në këtë institucion dhe ato në varësi të saj. Këtë gjë e ka bërë të ditur ministrja Lindita Nikolla gjatë prezantimit të reformës së deregullimit, një nismë që qeveria ka ndërmarrë për të zvogëluar në maksimum burokracinë me të cilën shumë qytetarë janë përballur për vite me radhë.
Sipas Nikollës kjo nismë e qeverisë synon të ulë sa më shumë kostot financiare dhe kohën që nevojitet për të përfituar shërbime publike. Ministria e Arsimit sqaron se nëse për të marrë shërbimet në MASR dhe institucionet e varësisë, deri dje kërkoheshin 254 dokumente, tashmë qytetarëve i duhet të paraqesin vetëm 86 për të marrë 44 shërbimet e ofruara.
Kjo nismë nxit shërbimet online për të shmangur radhët e gjata në sportele dhe duke reduktuar numrin e dokumentacionit si certifikata, leje, licenca apo autorizime që institucionet shtetërore kërkojnë në këmbim të shërbimeve të ofruara.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.