Maternitet i ri në Korçë, Manastirliu: Investimi 2.3 mln euro, shtohet dhe reparti i reanimacionit!
Me një investim prej 2.3 milion euro Korça do të ketë një maternitet të ri, duke garantuar shërbim dhe kujdes cilësor ndaj nënës dhe fëmijës. Në inaugurim ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Kushtet në spitalin e vjetër ishin të degraduara. Është si nata me ditën. Vetë mjekët e thonë. Investimi që kemi kryer është 1.5 milionë euro për infrastrukturën dhe 800 mijë euro vetëm për pajisjet për maternitetin. Ndërkohë që spitali rajonal i Korçës ka përfituar në investimin për pajisjet bio-mjekësore në vlerën 800 mijë euro, në pajisje laboratorike dhe në pajisje për urgjencën dhe shërbimet e patologjisë” tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Rama u dorëzoi personalisht çekun e bebes disa nënave të reja.
Në materniteti i ri janë shtuar reparte shërbimi që nuk kanë ekzistuar më parë, sikurse është reanimacioni për të porsalindurit. Ndërkohë që stafit mjekësor do t’i bashkohen edhe 15 mjekë të rinj, pas përfundimit të specializimit në fund të muajit shkurt.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.