Matteo Salvini në gjyq për bllokimin e anijes së emigrantëve – Ish ministri italian rrezikon deri në 15 vite burg
Ish-ministri italian i brendshëm Matteo Salvini ka dalë në gjyq në Sicili, i akuzuar për parandalimin e ankorimit të një varkë emigrantësh në gusht 2019.
Sipas akuzave Salvini mbylli portet për anijet e shpëtimit, duke lënë dhjetëra emigrantë të shpëtuar nga Mesdheu të bllokuar në një anije spanjolle shpëtimi për tre javë në kushte të përkeqësuara por vet politikani i krahut të djathtë i ka mohuar këto akuza.
Nëse Salvini shpallet fajtor ai mund të përballet me një dënim i cili shkon deri në 15 vite burg.
Në ditën e hapjes së gjykimit, gjyqtari lejoi të dëshmonin të gjithë dëshmitarët e paraqitur nga të dyja palët. Ata përfshijnë gjithashtu ish-kryeministrin Giuseppe Conte dhe anëtarë të kabinetit të tij.
Dëshmitarët e prokurorisë përfshijnë aktorin hollivudian Richard Gere, i cili ishte në bord.
“Pyes veten nëse është serioze që Richard Gere i Hollywood do të dëshmojë për sjelljen time në një gjyq,” u tha ai gazetarëve jashtë gjykatës.
Richard Gere kishte hipur në anijen spanjolle Open Arms përpara se ajo të ankorohej pas 19 ditësh në det në ishullin Lampedusa me gati 150 emigrantë në bord.
Salvini tha se ai po mbronte politikën e qeverisë së tij të “porteve të mbyllura” që synon të ndalojë emigrantët të bëjnë kalimin e rrezikshëm në Mesdhe.
Por bllokimi i anijes nga ana e tij shkaktoi një protestë dhe një ndarje serioze në qeverinë e koalicionit në atë kohë. Partia e tij Lidhja ishte në një koalicion me pesë Yjet.
Në korrik të vitit të kaluar, Senati votoi për heqjen e imunitetit të tij parlamentar.
Conte e kishte quajtur Salvinin “të fiksuar” me mbajtjen e emigrantëve jashtë porteve italiane.
Në vitin 2019, organizata bamirëse Open Arms paraqiti një ankesë ligjore kundër bllokut të zotit Salvini në anijen e tyre, e cila përfundoi më 20 gusht. Në atë kohë, shumë prej emigrantëve tashmë ishin lejuar të dilnin nga anija.
Themeluesi i bamirësisë Oscar Camps u tha gazetarëve jashtë gjyqit se shpëtimi i jetëve nuk duhet të politizohet.
“Shpëtimi i njerëzve në det nuk është krim, është një detyrim jo vetëm për kapitenin, por edhe për të gjitha shtetet,” tha ai.
Gjykata u shty pas disa orësh. Një seancë tjetër është caktuar për 17 dhjetor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.