Matura Shtetërore, kush duhet ta plotësojë formularin A1Z. Afatet për aplikim dhe procedurat që duhet të ndjekin kandidatët

Të gjithë maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të futen në procesin e Maturës Shtetërore, për të qenë konkurrent në Institucionet e Arsimit të Lartë, tashmë kanë një mundësi të dytë për plotësimin e formularëve A1Z. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, maturantët që nuk kanë aplikuar me formularin A1Z në Portalin Matura Shtetërore 2017, ky i fundit do të hapet në periudhën 26 – 27 Qershor 2017, nga ora 08.00 deri në orën 16.00.
“Plotësimi online i Formularit A1Z, për kandidatët e sipërpërmendur, bëhet në shkollat ku kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Përfaqësuesit e shkollës marrin kontaktet e kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë për futjen e të dhënave shkollore të tre viteve të arsimit të mesëm”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Rreth 40 mijë maturantë i janë nënshtruar së fundmi provimeve të detyrueshme të maturës, ndërkohë pritet nga ata dhënia e provimeve me zgjedhje.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.