Matura Shtetërore, procedurat që duhet të ndiqni për marrjen e kopjes së testit. Hapat dhe dokumentet që duhet të dorëzoni

Kërkoni të keni një kopje të testit të maturës, por e keni të pamundur të shkoni fizikisht pranë institucionit arsimor? Tashmë e keni këtë mundësi, përmes portalit e-Albania mund ta merrni këtë shërbim.
“e-Albania ju vjen në ndihmë me shërbimin elektronik “Kërkesë për kopje të testit të maturës” . Dërgoni online kërkesën nga smartphone, tableti apo kompjuteri juaj dhe në mënyrë elektronike do të merrni shërbimin e kërkuar.
Pas dërgimit të aplikimit drejt Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), ai do të procesohet nga specialisti i AKP-së dhe në varësi të informacionit, kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet me anë të e-maili nëpërmjet dokumenteve të nënshkruara në mënyrë dixhitale”, thuhet në njoftim.
Dokumentacioni i nevojshëm
– Dokument identifikimi; kartë identiteti ose pasaportë biometrike ( i nevojshëm për t’u loguar në portal)
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania
– Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të maturës”
– Në formularin që ngarkohet, plotësoni të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular (shkolla, DAR/ZA, provimin përkatës, adresa)
– Klikoni butonin “Dërgo”
– AKP-ja njoftohet në sistemin AMS për kërkesën e ardhur dhe verifikon të dhënat e dërguara nga aplikanti
– Pas trajtimit të kërkesës, AKP-ja nxjerr kopjet e provimit të maturës dhe materialin PDF të skanuar ia nis aplikantit te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia”
– Ju do të njoftoheni dhe me e-mail, në kohën që shërbimi ka përfunduar
Kërkohen 2 ditë punë për marrjen e shërbimit, por nga ana tjetër thuhet se ky shërbim ofrohet pa pagesë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.