Matura Shtetërore, rihapet portali – QSHA: 4 kategoritë që mund të plotësojnë Formularin A1Z

Qendra e Shërbimeve Arsimore do të rihapë portalin e Maturës Shtetërore për të gjithë ata maturantë që nuk mundën të plotësojnë Formularin A1Z, në raundin e parë. Sistemi do të qëndrojë i hapur nga ora 8:00-16:00 në datat 21-23 gusht, ndërkohë që aplikimet do të bëhen në mjediset e shkollave ku kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme.
Të drejtën për të plotësuar Formularin A1Z e kanë të gjithë maturantet që nuk e kanë plotësuar në sesionin e pare dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk janë të pajisur me dëftesë pjekurie. Po ashtu, të drejtën për të aplikuar e kanë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk kanë për të dhënë provime të Maturës, por që duan të aplikojnë në institucionet e arsimit të lartë si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njehsuar dokumentet shkollore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Ndërkaq, Qendra e Shërbimeve Arsimore saktëson se nëse maturantët e kanë plotësuar formularin A1/A1Z në sesionin e parë dhe për ndonjë arsye nuk ka marrë pjesë në provime ose ka marrë pjesë dhe ka mbetur, atëherë ai nuk duhet të plotësojë, sepse ekziston në bazën e të dhënave të Maturës Shtetërore 2017.
Referuar rregullores, procesi i plotësimit të Formularit A1Z do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Kjo është hera e tretë që Qendra e Shërbimeve Arsimore rihap portalin për kryerjen e kësaj procedure.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.