May aktivizon “Brexit” – Brukseli merr kërkesën, Skocia rebelohet

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian, Sir Tim Barrow i ka dorëzuar zyrtarisht Brukselit letrën e kryeministres Theresa May, ku kërkohet aktivizimi i nenit 50 të Traktatit të Lisbonës.
Pra, prej orës 12.30 të së Mërkurës, ka filluar zyrtarisht divorci i Britanisë nga unioni. Prej këtij momenti e tutje, Bashkimi europian, jo de juro, por de facto, do të jetë me 27 anëtarë.
Britanisë do t`i duhen rreth 2 vite të dalë plotësisht nga unioni, por ndërkohë, ajo nuk do të jetë pjesë e vendimmarrjes. Përpara se të niste letrën e famshme, drejtuar Brukselit, Theresa May takoi të gjithë anëtarit e kabinetit qeveritar.
Në dy vitet e ardhshme, Brukseli dhe Londra pritet të kenë negociata mjaft të vështira sa i përket procedurave të divorcit. Shumë marrëveshje tregtare pritet të negociohen, pasi Britania pas daljes nga unioni nuk do të jetë më pjesë e tregut të përbashkët europian.
Brexit nga ana tjetër ka krijuar shumë probleme në Mbretëri, aq sa po flitet për një shpërbërje të saj. Parlamenti skocez votoi të Martën në favor të mbajtjes së një referendumi për daljen e Skocisë nga unioni, duke mos njohur kështu atë të 23 qershorit.
Në këtë datë, skocezët votuan masivisht pro qëndrimin në union. Referendumi i dytë mund të gjenerojë një fraksionim të Mbretërisë.
Situata ka shkuar në atë pikë sa, në ishull po flitet për shumë skenarë, dhe një ndër ta është ai që, Mbretëria të vendosë atë që njihet si “direct rule” për të qeverisur Skocinë apo Irlandën e Veriut.
“Direct rule” përkthehet në një formë qeverisje që nuk garanton pavarësinë, e bazuar në modelin e kolonive të pas luftës së dytë botërore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.