May dështon në Bruksel – Kthehet “duarbosh”, BE nuk e rinegocion marrëveshjen
Bashkimi Europian ka refuzuar të ndihmojë kryeministren britanike, Theresa May, duke u shprehur se nuk është i hapur për të rinegociuar marrëveshjen e `Brexit`. Të 27 vendet e Bashkimit Europian shprehen të gatshme për të nisur negociatat për tregtinë me Britaninë e Madhe me të dalë edhe zyrtarisht nga Bashkimi Europian në muajin Mars të vitit të ardhshëm.
Kryeministrja vrapoi drejt Brukselit për të marrë ç`të mundje, por duket se do të kthehet duar bosh në shtëpi. Numri një i ekzekutivit britanik synonte të merrte një garanci politike sa i takon çështjes së Irlandës, që mbetet edhe pengesa numër një në procesion e brexit.
“Bashkimi Europian i qëndron marrëveshjes dhe dëshiron të vijojë me ratifikimin e saj. Nuk jemi të hapur për rinegocime”-thuhet në deklaratën e përbashkët të 27 vendeve të unionit. “Është vendosmëria e Bashkimit Europian që të vijojë me shpejtësi për një marrëveshje tjetër, në mënyrë që pika që i referohet Irlandës të mos aktivizohet”-thuhet më tej ne deklaratën e 27-tëshes.
Kjo pikë është një mekanizëm për të mos forcuar një kufi mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Nga ana tjetër, avokatët e Brexit mendojnë se, diçka e tillë do të detyrojë Irlandën e Veriut që të ndjekë rregullat e Bashkimit Europian. Parlamenti britanik ndërkohë është i detyruar ligjërisht që ta votojë marrëveshjen e Brexit brenda datës 21 Janar. Dështimi i May në Bruksel ka nxitur një zhvlerësim të monedhës britanike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.