May kërkon nga Facebook dhe Instagram të drejtën e individëve për të fshirë çdo përmbajtje të padëshiruar

Platformat e rrjeteve sociale si Facebook, Twitter dhe Instagram mund të detyrohen për t’i ofruar mundësinë të rinjve britanikë të fshijnë të dhënat për ta, nëse Theresa May rizgjidhet kryeministre më 8 Qershor.
Të gjithë përdoruesit nën 18 vjeç duhet të kenë mundësinë për të eliminuar çdo të dhënë që ka të bëjë me ta, përfshirë statuse, foto, etj. Kjo është një nga masat që Partia Konservatore e May do të premtojnë gjatë fushatës. Ajo synon të mbrojë fëmijët online por njëkohësisht të thjeshtëzojë ngritjen dhe operimin e një biznesi në web.
May propozon rregulla më strikte në mënyrën se si kompanitë manaxhojnë fjalët fyese, pornografinë dhe përmbajtjet e padëshiruara dhe kërkon të fuqizojë rregullatorët me mundësinë për të gjobitur firmat. Do të ketë kufizime në mënyrën se si kompanitë ruajnë të dhënat dhe përdoruesit do të kenë mundësinë të aksesojnë në informacionin e ruajtur për ta.
Rregullat e propozuara shkojnë shumë përtej kritereve ekzistuese dhe masa të tilla do të vështirësonin shumë punën për rrjetet sociale, të cilat ruajnë vite të tëra të dhëna, postime dhe foto për individët.
“Interneti ka sjellë një pasuri mundësish, por edhe një numër të konsiderueshëm rreziqesh, të cilat kanë evoluar shumë më shpejt se sa shoqëria ka mundësi t’u përgjigjet. Duam që kompanitë e mediave sociale të bëjnë më tepër për të rikthyer balancën dhe do të marrim masa për t’u siguruar që ta bëjnë”, tha May në një njoftim për shtyp.
Një propozim i ngjashëm është bërë nga Bashkimi Europian drejt Google, duke imponuar “të drejtën për t’u harruar”, ose mundësinë që çdo individ të kërkojë të eliminojë të dhënat për të në motorin e kërkimit.
Këto kërkesa të individëve drejt motorëve të kërkimit aktualisht po procesohen një nga një. Nëse Google refuzon të fshijë kërkimet, qytetarët mund të apelojnë. Në Maj të vitit të ardhshëm hyn në fuqi Rregullorja e Përgjithshme Europiane e Mbrojtjes së të Dhënave, e cila u jep mundësinë individëve të kenë më tepër kontroll mbi të dhënat e tyre personale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.