May, me këmbë në tokë: “Negociatat me BE, do të jenë mjaft të vështira”
Kryeministrja britanike, Theresa May pret që negociatat e Brexit me Bashkimin Europian të jenë mjaft të vështira. Deklaratat e saj vijnë pas samitit të unionit në fundjavë në Bruksel, ku palët dhe veçanërisht Angela Merkel paralajmëruan Londrën që të mos krijojë iluzione për një marrëveshje të favorshme.
Theresa May i bën këto deklarata pas një viti ku kishte deklaruar vazhdimisht optimizmin e saj dhe të qeverisë britanike për një marrëveshje të favorshme. “Ajo që kjo tregon, dhe ajo që tregojnë deklaratat e disa liderëve europianë, është se do të ketë momente që negociatat do të jenë tepër të vështira”, deklaroi numri një i ekzekutivit britanik.
Negociatat mes palëve kanë në thelb marrëveshjen e tregtisë së lirë. Me Brexit, Mbretëria e humbet të drejtën për të qenë pjesë e tregut të përbashkët europian, dhe kjo përkthehet në marrëveshje të reja, të cilat mesa duket nuk do të përfshijnë më tarifat lehtësuese. Aktualisht, kryeministrja, e cila do të vendosë në test pozicionin e saj në zgjedhjet e përgjithshme të 8 Qershorit, i mbetet besnike idesë se, mungesa e një marrëveshje do të ishte më e mirë se një marrëveshje e keqe.
Por, Brukseli e shikon si një bllof këtë pretendim, duke deklaruar se, kufizimi ligjor që do të skandojë më 30 mars të vitit 2019, do ta dëmtonte Britaninë shumë më shumë se vendet e tjera.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.