May mirëpret ofertën e BE – Pranon periudhën 21-mujore të tranzicionit pas Brexit
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, mirëpriti miratimin e periudhës 21-mujore të tranzicionit nga liderët e Bashkimit Europian, që do të ndihmojë përshtatjen e bizneseve pas Brexit. Liderët e BE ranë në dakordësi gjithashtu për qëndrimin e përbashkët të negociatave mbi marrëdhënien e ardhshme tregtare me Britaninë, pas daljes nga blloku.
“E mirëpres faktin që Këshilli i Bashkimit Europian ra dakord për detajet e zbatimit të kësaj periudhe tranzicioni. Kjo i jep siguri njerëzve dhe bizneseve”, tha Theresa May. Sipas saj, temat e ardhshme do të jenë për arritjen e një zgjidhjeje për kufirin me Irlandën e Veriut dhe mbi partneritetin ekonomik dhe të sigurisë.
Kjo arritje për Theresa May vjen me koston e ndreqjes së çështjes mbi kufirin e Irlandës së Veriut pas Brexit, që ka ndjeshmëri politike. Të dyja anët thonë se nuk kërkojnë t’i kthehen kontrolleve kufitare mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Kryeministri i Irlandës Leo Varadkar, e ka vënë në dukje qëndrimin e BE, se tranzicioni do të arrihet nëpërmjet një marrëveshjeje të gjerë, që përfshin edhe çështjen e kufirit.
Nën presion nga Europa për të arritur periudhën e tranzicionit që të lehtësohen shqetësimet e bizneseve, britanikët ranë dakord për një masë parandaluese për Irlandën. Për Bashkimin Europian, kjo nënkupton se Irlanda e Veriut do të vazhdojë të trajtohet si të jetë pjesë e bashkimit doganor të bllokut edhe pas periudhës së tranzicionit në 2020-ën. Sipas zyrtarëve në Europë, kjo do të parandalojë kontrollet kufitare në ishull.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.