May reagon ndaj “poshtërimit” – “Negociatat e Brexit, në rrugë pa krye. Nuk ka referendum të dytë!”
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se bisedimet e Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar për Brexit ndodhen në një “rrugë pa krye”. Liderja e Britanisë përsëriti komentet e saj se nuk do të kthejë mbrapsht referendumin e vitit 2016. May tha se ofertat e Bashkimit Europian janë të papranueshme dhe se nuk do të tallë vendimin që populli britanik mori 2 vite më parë. Ajo i kërkoi gjithashtu Europës që të ofrojë më shumë detaje për pozicionin e negociatave.
“Ditën e djeshme, Donadl Tusk tha se propozimet tona përkeqësojnë tregun e përbashkët europian. Ai nuk shpjegoi me detaje apo të jepte një kundër-ofertë. Kështu që ndodhemi në një rrugë pa krye”, tha Theresa May. Kryeministrja shtoi se gjatë gjithë procesit të negociatave e ka trajtuar Bashkimin Europian me respect dhe se kërkon të njëjtën gjë. Paundi britanik pësoi rënie pas përfundimit të samitit të BE në Salzburg dhe humbi 1.3% pas komenteve të kryeministres.
Këto erdhën 1 ditë pasi liderët europian refuzuan planet e saj në Austri. Ata kërcënuan May se bisedimet do të përfundojnë nëse ajo nuk tërhiqet për çështje si tregtia dhe kufiri i Irlandës së Veriut. Pas këtyre paralajmërimeve, May tha se Britania është e përgatitur që të largohet edhe pa arritur marrëveshje me Brukselin. “Nuk do të ketë një referendum tjetër”, përfundoi May.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.