MB, shpërndarja e buxhetit – Policia e Shtetit, prioritet me 16.8 mld lekë
Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe garantimi i sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës, të cilat janë dhe prioritete për veprimtarinë e Policisë së Shtetit, vitin e ardhshëm do të synohet të arrihen me një buxhet më të ulët. Ministria e Brendshme, ndonëse me një vlerë jo të madhe , ka një rënie në buxhetin e vitit të ardhshëm. Fondi i caktuar për këtë ministri arrin deri në 20 .9 miliardë lekë nga 21 që është këtë vit. Ashtu sikurse edhe për 2018-ën , organi që përfiton më shumë fonde është Policia e Shtetit me 16.8 miliardë lekë.
Pas Policisë së shtetit , Garda e republikës është ajo e cila përfiton fondin më të lartë të caktuar për këtë ministri me 1.5 miliardë lekë, ndërsa më pak fonde janë parashikuar të përdoren për prefekturat dhe shërbimin e gjendjes civile, përkatësisht me 606 dhe 678 milion lekë.
Por cilat janë nevojat me emergjente të kësaj ministrie?
Sipas anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ku pak ditë më parë u votua në parim ky buxhet, problematikë e cila kërkon investim është policia kufitare kjo për shkak të mungesave në logjistikë dhe gjendjes së vështirë të mjeteve dhe pajisjeve në dispozicion të policisë kufitare dhe migracionit, mungesa në burime njerëzore, mungesë e theksuar në infrastrukturën e godinave të pikave të kalimit kufitar, armatimi i vjetruar dhe jo i njehsuar. Me buxhetin e parashikuar për 2019-ën synohet të realizohet edhe unifikimi i pagave të oficerëve të shërbimit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.