Mbarëvajtja e sezonit turistik – Xhafaj takim me drejtuesit e lartë të Policisë për masat që do ndërmerren
Mbarëvajtja dhe masat për sezonin turistik, lufta kundër kanabisit si dhe nisma “Policimi në Komunitet” ishin edhe fokusi i takimit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj me drejtuesit e lartë të Policisë në Shtëpinë e Pushimit në Durrës.
Sipas Xhafaj, interesi i operatorëve si dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe turistëve janë të mëdha.
“Sivjet mbështetur në një përvojë shumë të mirë analizën e së cilës ne e kemi bërë në nëntor të 2017, për çfarë kemi pasur problematika gjatë sezonit të kaluar dhe reflektimet përkatëse, do të mund të na ndihmojnë që të mund të reflektojmë më mirë dhe të japim parametra shumë më të lartë qetësie dhe sigurie tek qytetarët dhe të gjithë operatorët turistikë në këtë sezon”, tha ministri Xhafaj.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, vuri theksin te zbatimi i orareve dhe kufizimeve të vendosura nga pushteti vendor për shmangien e ndotjes akustike. Po ashtu, kërkoi angazhimin e Policisë për të menaxhuar trafikun si dhe për të shmangur ngjarjet me pasoja të rënda në det.
“Për sa i përket pjesës së kufizimit dhe rritjes së sigurisë në ujë, për sa i përket kufizimeve që duhet të bëjmë në hapësirat apo në pjesët ku janë përcaktuar për plazhe, qofshin këto publike apo private, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve motorike, qofshin gomone, skafe të vegjël apo motorë uji, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale”, u shpreh Veliu.
Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajnaj, tha se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Kjo përfshin planifikimin i punonjësve të Policisë, mjeteve apo pajisjeve shtesë, ngritjen e 5 stacioneve të Policisë, shtimin e sporteleve për të gjitha hyrje-daljet, etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.