Mbërrin aplikimi për park fotovoltaik në Bilisht – Ja detajet e projektit dhe investuesi
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka regjistruar një tjetër aplikim për ngritjen e një parku fotovoltaik me kapacitet nën 2 megawatt. Kësaj radhe, kërkesa për ngritjen e impiantit që shfrytëzon energjinë diellore vjen nga Shoqëria “NTSP” SH.P.K., e krijuar në Janar të këtij viti, me zyra qendrore në Bilisht.
Shoqëria kërkon të investojë 321.6 milionë lekë, për ngritjen e një parku me kapacitet të instaluar 2 MW në zonën Bitinçkë, pikërisht në Bilisht. Projekti energjetik pritet të shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 35 mijë metrash katrorë në zonën e mësipërme.
Kjo nuk është kërkesa e parë që vjen për ngritjen e veprave të tilla në Bilisht apo në qarkun e Korçës. Në gusht të vitit të kaluar, shoqëria “RTS” aplikoi për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën Tren-Bilisht, ndërsa janë edhe dy aplikime të tjera pranë qytetit të Korçës nga shoqëritë “Favina 1” dhe “REJ”.
Veprat energjetike nën kapacitetin 2 MW, sipas disa ndryshimeve të fundit të kornizës ligjore, nuk janë objekt koncesioni dhe kërkojnë vetëm miratimin e organeve përgjegjëse për realizimin e tyre.
Aplikimi i detajuar për publikun e interesuar, të Shoqërisë “NTSP” Sh.P.K., mund të gjendet pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.