Mbështetja për bujqësinë, Bumçi: E mjerueshme. Në Shqipëri 23 euro për hektar, shumë poshtë rajonit

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i është adresuar gjatë diskutimeve në Kuvend për buxhetin e vitit 2018, mbështetjes që i jepet bujqësisë. Sipas Bumçit për këtë sektor janë vënë në dispozicion shumë pak fonde, bazuar në rolin që bujqësia, blegtoria dhe peshkimi kanë në punësim dhe në produktin e brendshëm.
Aktualisht 23% e PBB prodhohet nga ky sektor, ndërkohë që në vendet e Ballkanit, prodhimi bujqësor zë 8-14% të prodhimit.
“Për shkak të këtyre faktorëve bujqësia duhet të ishte e para, duhet të merrte pjesën e luanit nga buxheti i shtetit. Ministria e Bujqësisë duhet të ishte superministria dhe nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, rritje ekonomike pa zhvilluar bujqësinë”, tha Bumçi.
Deputeti i Partisë Demokratike u mbështet edhe në shifrat e Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës, pranë OKB, për të vënë në dukje mbështetjen e ulët që marrin fermerët shqiptarë. Sipas raportit të FAO, në Shqipëria bujqësia merr 23 euro mbështetje për hektar toke të përdorur. Ndërsa në rajon këto shifra nisin nga 40 euro për Bosnje dhe Hercegovinë, në Kosovë 72 euro, në Malin e Zi 79 euro, në Serbi 92 euro dhe në Maqedoni arrin në 187 euro, ose mbi 8 herë më e lartë se në vendin tonë.
“Një mbështetje e mjerueshme, e turpshme për bujqësinë në Shqipëri. Nuk krahasohemi as me Kosovën, as me Maqedoninë. Këto të dhëna do të mjaftonin, por në fakt nuk janë e vërteta. Situata e vërtetë është edhe më e rëndë, sepse e rëndësishme është sa mbështetje direkte i shkon fermerit. Këtu diferenca është e frikshme. Nga 23 euro që ne japim për bujqësinë, vetëm 3 euro shkojnë te familja fermerë. Pjesa tjetër është mbështetje e përgjithshme”, u shpreh deputeti i PD.
Sipas Bumçit mbështetja për bujqësinë, nëse do të rritej do të kishte një potencial të jashtëzakonshëm, duke shtuar krahas prodhimit, edhe vendet e punës.
A.H./SCAN
Krahasimi i PBB të Shqipërisë me Bashkimin Europian – Të parët për peshën e bujqësisë dhe ndërtimit, ndër të fundit për industrinë dhe informatikën
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.