Mbështetja për turizmin – 40 mln euro investim nga BE dhe BERZH
40 milionë euro do të investojë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Europian për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në këtë sektor, Kreu i Delegacionit të BE, Romana Vlahutin u shpreh se për zhvillimin e turizmit nuk mjaftojnë vetëm çmimet e ulëta por investimi në ato ato gjëra që rajoni nuk i ofron. Përfaqësuesja e BE renditi disa pika ku po ndërhyhet duke theksuar si të rëndësishme mbështetjen financiare të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në këtë sektor.
“Mjedisi është sfidë madhore , mos e nënvlerësoni, ka shumë për të bërë këtu përsa i përket ofertës. Ne do investojmë bashkë me BERZH 40 milionë euro ku faza e parë pilot është 20 milionë euro. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë tejet të rëndësishme, në këtë kuadër ju konkurroni me tregje mjaft të zhvilluara rreth jush kështu që nuk është e lehtë. Duhet të dini për gjërat pikante, jo vetëm çmimet e ulëta. Ndërhyrja jonë tjetër në të ardhmen është qasja rajonale”, u shpreh Vlahutin.
I pranishëm në këtë takim ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u ndal te projekti për zhvillimin e turizmit, i cili do të shtrihet në katër pika kryesore në: Tiranë, alpe, marina e bregdetit Adriatik dhe në jug. Sipas Klosit pastrimi është detyra kryesore duke lajmëruar për një tjetër aksion në datat 16- 22 prill.
“Në javën që vjen dhe këtu do të doja shumë që t’u thoja të gjithëve që të ishit pjesë e aksionit tonë të pastrojmë tokën gjatë Javës së Tokës që për ne është data 16-22 prill që është Dita e Tokës për të bërë një pastrim gjeneral të lumenjve dhe bregdetit dhe këtu të gjithë institucionet shtetërore dhe të gjithë partnerët e institucioneve shtetërore do të jenë të angazhuar dhe këtu iu bëj thirrje dhe komunitetit dhe gjithë se cilit që të marrë një pjesë sado të vogël që të jetë në hartën e deteve dhe lumenjve të Shqipërisë për të bërë një pastrim total. Padyshim që pas datës 22 prill të vazhdojmë me një cikël të pafund pastrimi dhe mbrojtja Mjedisit për të patur mundësi që në sezonin turistik për herë të parë të jetë një sezon, i cili të ofrojë shumë buzëqeshje”, u shpreh Klosi.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.