Mbështetje financiare Shqipërisë! Soreca: ”Nuk jeni vetëm në dhimbjen tuaj. Ka nisur faza e dytë, vlerësimi i dëmeve”
Shqiptarët nuk janë të vetëm në dhimbjen e tyre dhe do të kenë mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian si në momentet e përballjes së fatkeqësië ashtu dhe në fazat e mëtejshme të stabilizimit të gjendjes. Është ky mesazhi që dha të hënën Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca. Ai tha se pas fazës së parë që kishte të bënte me emergjencën e sigurimit të jetëve të njerëzve, po ecet me fazën e dytë, atë të vlerësimit të sigurisë së ndërtimeve në gjithë zonat e prekura. Soreca tha se në Bruksel është vënë në lëvizje mekanizmi i mbrojtjes civile dhe premtoi mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian për rindërtimin e objekteve të dëmtuara.
Ndërsa Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se dëmet e shkaktuara nga tërmeti janë të jashtëzakonshme dhe se aktualisht janë në terren 11 grupe vlerësuesish të cilët do të shtohen në vijim për të bërë të mundur vlerësimin e çdo objekti të dëmtuar.
I pranishëm në konferencën për shtyp ishte edhe Drejtuesi i Ekipit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Peter Glerum, i cili deklaroi se ekspertët nga vendet e BE-së dhe OKB-ja po vijojnë kontrollin e çdo banese që shqiptarët të jenë të sigurt.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.