Mbështetje për vreshtarinë, Peleshi: Nga 300 mijë lekë deri në 2 mln euro

Nga programi IPARD II dhe nga Skema kombëtare financiare është parashikuar edhe një grant për vreshtarinë, për mbjellje të re apo zgjerim vreshti, si dhe ngritje kantine. Ministri i Bujqësisë gjatë vizitës të një ferme me vreshta në Mamurras deklaroi se nga skema kombëtare financiare ka një hapësirë shumë të madhe për financime në sektorin bujqësor dhe agropërpunues. Peleshi tha se kjo hapësirë zgjerohet shumë më tej, me programin IPARD II, çelja e thirrjes së parë do të bëhet në pranverë.
“IPARD-i jep deri në 400 mijë euro për investime në fermë dhe deri në 2 milionë euro për investime në agropërpunim. Për vreshtarinë, sipas Skemës Kombëtare të Mbështetjes financiare është parashikuar për mbjellje vreshti (mbjellje të reja), me kultivarë për rrush tavoline 300 000 lekë për hektarë dhe për vreshtat me kultivarë autokton 350 000 lekë për hektarë. Për vaditjen me pika 2 milionë për hektarë. Për investime në fermë, ngritje kantine, pra për të bërë ciklin e mbyllur të vreshtarisë dhe të verës, hapësira për të financuar me grant është deri në 2 milionë euro nga IPARD-i dhe deri në 200 milion lekë nga skema kombëtare”.
Ndërkohë, një risi e skemës kombëtare nga AZHBR-ja është dhe certifikimi. Kjo masë do të aplikohet për herë të parë në skemën kombëtare.
“Mbështetja e certifikimit të standardeve të produkteve dhe forcimi i kapaciteteve të tyre për eksport, mbështetet dhe nga Programi IPARD, i cili i ka dhënë një prioritet të veçantë. Marrja e certifikatave ndërkombëtare, si ASAP, Global Gap etj, do t’u hapë dyert produkteve vendase, për zgjerim të tregut dhe eksporteve, duke i drejtuar ato drejt supermarketeve dhe tregjeve evropiane, të cilat kanë kërkesa dhe standarde të larta. Viti 2017 mund të quhet një vit shumë i suksesshëm për bujqësinë shqiptare, pasi pati rritje prej 19,9% të eksporteve të produkteve vendase”.
Ndër të tjera, Ministri është ndalur dhe në rikonfigurimin e strukturave bujqësore, me ngritjen e dy agjencive, Agjencia e Shërbimit ndaj Fermerit, e Ekstensionit dhe Agjencia Veterinare, që do të jenë pranë blegtorëve dhe fermerëve, për t’i këshilluar më tepër.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.