Mbetën të bllokuar në plazhin e “Krorëzës” – Policia Kufitare shpëton 12 turistët

Kishin shkuar në plazhin të Krorëzës më këmbë duke zbritur malin, me dëshirën për të pushuar në bregun e virgjër pranë Sarandës. Por me kalimin e orëve, deti ka qenë i dallgëzuar dhe tre familjet janë ndier të rrezikuara e nuk kanë mundur të ngjiten përsëri në mal.
Për këtë arsye, një nga 12 turistët nga Tirana, ka kërkuar ndihmën e policisë kufitare.
Salla Operative e Kufirit Sarandë me marrjen e njoftimit për t’ju dhënë ndihmë ka dërguar për asistencë shërbimet e Policisë Kufitare.
Policia Kufitare ka bërë transportimin në terren tokësor, në Lukovë, me mjet lundrues të Policisë dhe njofton se të gjithë shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndër personat e bllokuar gjendeshin 6 fëmijë, një nga arsyet pse ngjitja e malit nuk ka qenë alternativë për tre familjet.
Plazhi i Krorëzës ndodhet rreth 14 km larg qytetit të Sarandës dhe është i aksesueshëm vetëm me varkë ose më këmbë. 500 metra në jug të tij ndodhet edhe plazhi i Kakomesë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.