Mbetjet elektronike, Ballkani prodhon më pak në Europë – Probleme madhore në menaxhimin e tyre

Rajoni i Ballkanit është një nga ndotësit më të vegjël në Europë, sa u takon mbetjeve elektronike. Këtë e pohon raporti i fundit vjetor i Shoqatës Ndërkombëtare të Mbetjeve të Ngurta, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.
Në kontinent, gjatë vitit 2016 u prodhuan rreth 16.6 kilogramë mbetje për banor, ndërsa shumica e vendeve të BE kishin një mesatare prej 15-25 kilogramësh për frymë. Në Ballkan ndërkohë, kjo normë varionte nga 5-15 kilogramë për frymë. Vendet si Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia janë ato që kanë regjistruar edhe ndotjen më të ulët, e cila nis nga 6.5 kg deri në 7.2 kg për banor.
Por teksa rajoni prodhon më pak mbetje se në pjesën tjetër të Europës, mund të themi gjithashtu se bën shumë pak për menaxhimin e këtyre mbetjeve.
Nga 512 kiloton mbetje të gjeneruara në 2016, vetëm 158 kiloton arritën të mblidhen. Edhe pse pjesa më e madhe e shteteve kanë legjislacion në fuqi për trajtimin e mbetjeve elektronike, në këtë rajon nuk janë implementuar sisteme efektive të menaxhimit si në vendet e Bashkimit Europian. Të vetmet iniciativa janë duke u ndërmarrë aktualisht nga sektori privat i riciklimit.
Ballkani në këtë drejtim përballet me dy probleme madhore, citon raporti, faktin që shumica e mbetjeve elektronike depozitohen në landfille dhe se aktiviteti i riciklimit dhe grumbullimit të tyre krijon humbje të konsiderueshme në burime dhe shkakton dëmtime shëndetësore dhe mjedisore.
Në nivel global, vetëm 20% e këtyre mbetjeve u ricikluan, pavarësisht depozitave të mëdha të materialeve të çmuara si ari, argjendi, bakri, platini, paladiumi, etj. Përllogaritet se materialet e riciklueshme vitin e shkuar kapën një vlerë prej 55 miliardë dollarësh.
Në total u gjeneruan 44.7 milionë ton mbetje, ekuivalenti i rreth 4500 kullave Eiffel. Mesatarja botërore e mbetjeve për frymë ishte 6.1 kilogramë, 5% më e lartë se në vitin 2014. Ndotësit më të mëdhenj për frymë ishin Australia dhe Zelanda e Re, ndërsa Europa ishte rajoni me ndotjen më të lartë, por edhe normën e riciklimit më të lartë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.