Mbi 15 milionë raste në 1 javë – OBSH: Omicron nxit infeksione rekord, por numri i vdekjeve nuk ndryshon!
Më shumë se 15 milionë raste të reja me Covid-19, të nxitura kryesisht nga varianti Omicron, janë raportuar në botë në javën e kaluar, që është deri më tani shifra më e madhe e raportuar ndonjëherë në 1 javë të vetme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo vjen me shumë mundësi prej rënies së ashpërsisë së Omicron dhe imunitetit të përhapur gjerësisht nga vaksinimi apo infeksioni i mëparshëm natyrorë, sipas drejtorit të përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Pavarësisht rasteve të reja me Covid-19, numri javor i vdekjeve ka mbetur i qëndrueshëm që prej Tetorit të vitit të kaluar, në një mesatare prej 48,000, sipas tij. Numri i pacientëve të shtruar në spital po rritet gjithashtu në shumë vende, por jo në nivelet e mëparshme. Organizata paralajmëroi se pavarësisht se Omicron shkakton sëmundje më pak të ashpër se Delta, varianti qëndron i rrezikshëm, veçanërisht tek ata që nuk janë vaksinuar.
Drejtori i Organizatës paralajmëroi se ka ende punë përpara se të arrihet objektivi i vaksinimit të 70% të popullsisë së çdo vendi, deri në mes të këtij viti. Deri më tani, 90 vende në botë nuk kanë arritur ende 40%-ëshin dhe 36 nga këto vende, kanë vaksinuar më pak se 10% të popullsisë. Organizata ka sugjeruar gjithashtu zhvillimin e më shumë vaksinave dhe përditësimin e përmbajtjtes së vaksinave në dispozicion, për të parandaluar infeksionet.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.