Mbi 208.2 mln lekë për segmentin rrugor rrethrrotullimi Mullet-fshati Qeha – Çfarë parashikon projekti
Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e tenderimit për ndërtimin e segmentit rrugor nga rrethrrotullimi Mullet deri të ura në fshatin Qeha. Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë segment rrugor me gjatësi të përgjithshme rreth 2.87km është më shumë se 208.2 milionë lekë.
Projekti parashikon ndërtimin e një rruge të re mbi trasenë e rrugës ekzistuese e cila do të fillojë në dalje të fshatit Mullet dhe do të takohet me rrugën që lidh Fikas-Mangull me fshatin Qeha. Ndërsa, lidhja e saj me rrugën nacionale “Tiranë-Elbasan” pritet të bëhet me anë të një rrethrrotullimi 60 m.
Grafiku i punimeve përfshin po ashtu edhe ndërtimin e një ure të re duke zëvendësuar kështu atë ekzistuese. Ndërkohë, krahas urës, është parë e nevojshme edhe ndërtimi i disa veprave të artit të vogla, si: tombinot rrethore, mure pritëse betoni apo mbajtëse gabioni me lartësi 2-5 metra.
Sa i takon ujërave sipërfaqësorë të rrugës, sistemimi i tyre është parashikuar të bëhet me kanale të hapur të cilat derdhjen ujin nëpër tombino. Pjesë e investimi është edhe pajisja e këtij segmenti rrugor me sinjalistikën përkatëse.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.