Mbi 3 mijë të punësuar me “nxitje” – Qeveria paguan bizneset fituese
3141 individë janë punësuar gjatë muajit Shtator përmes Programeve të Nxitjes së Punësimit, të vëna në dispozicion nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
Faza e aplikimit u hap në muajin Gusht ku një sërë biznesesh që plotësonin kriteret janë përzgjedhur për tu financuar, me qëllim marrjen në punë të individëve, që vijnë kryesisht nga grupet vulnerabël.
Edhe për vitin 2018, është akorduar fondi prej 490 milion lekë, për implementimin e këtyre programeve dhe janë planifikuar të kualifikohen, punësohen apo kryejnë praktikat profesionale në biznese, rreth 8500 punëkërkues të papunë të regjistruar si të tillë pranë zyrave të punësimit.
Kategoritë e punëkërkuesve që përfitojnë nga këto programe përfshijnë jo vetëm të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë apo ata që kanë fituar statusin e jetimit, personat me aftësi të kufizuar, femrat nga grupet e veçanta, punëkërkues nga ish ndihma ekonomike apo që trajtohen aktualisht me të, por edhe çdo të papunë pa arsim apo kualifikim profesional.
Rreth 668 biznese kanë përfituar fonde për nxitjen e punësimit gjatë vitit që lamë pas, ndërsa janë punësuar, trajnuar përmes punës dhe kanë kryer praktikat profesionale 5264 punëkërkues të papunë nga ky program.
Mbështetja financiare për bizneset përfituese bëhet me këste dhe shkon për 4 paga të paguara nga shteti në masën e pagës minimale dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për një vit për çdo individ të punësuar.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.