“Mbi 85% e invalidëve ankohen për punësimin” – World Vision: Duhen shërbime të aksesueshme dhe të përballueshme financiarisht
85.6% e personave me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre shprehen të pakënaqur me nivelin e punësimit, ndërkohë që 52.3% e tyre nuk janë të kënaqur me cilësinë e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara”. Në këtë përfundim ka arritur një monitorim i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar (2016-2020) i kryer nga World Vizion Albania, në bashkëpunim me disa organizata të shoqërisë civile. Monitorimi përfshiu 528 persona me aftësi të kufizuara dhe familjarë të tyre dhe 70 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, në Berat, Dibër, Lezhë dhe Korçë, teksa nxori në pah edhe situatën me kujdesin shëndetsor dhe atë shoqëror.
Sipas të dhënave, 73.1%e personave me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre shprehen të pakënaqur me diagnostikimin e aftësisë së kufizuar, ndërsa 78.6% nuk janë të kënaqur me trajtimin e specializuar që iu ofrohet. Po ashtu, 53.9% e personave të përfshirë në monitorim janë të pakënaqur me shërbimet sociale që janë ngritur në zonën e tyre, ndërsa 83.4% e tyre shprehen se masa e pagesës së aftësisë së kufizuar nuk i mbulon nevojat e një personi me aftësi të kufizuara.
Sipas drejtoreshës së operacioneve në World Vision Albania, Artina Morava këto të dhëna “mund të jenë një pikënisje për prioritizimin e fushave kryesore gjatë hartimit dhe zbatimit të planit të ardhshëm të veprimit për periudhën 2021-2025”. Gjithashtu, sipas saj, “duke ndërmarrë hapa konkretë, duke koordinuar ndërhyrjet e të gjithë aktorëve dhe duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në këtë proces do mund të gjenden zgjidhje që kanë ndikim afatgjatë në jetën e tyre”. Ndërkaq, raporti thekson nevojën për ndërhyrje në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet shërbimeve të aksesueshme dhe të përballueshme financiarisht.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.