Mbledhja e Këshillit Tatimor – Diskutohet për “faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”
Këshilli Tatimor ka zhvilluar një diskutim mbi projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ku të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.
Gjatë prezantimit të projektligjit, zv.ministri Haxhi vuri theksin në risitë e tij, që synojnë një kontroll më të mirë të transaksioneve të tatimpaguesve.
“Ndryshimi i këtij sistemi adreson edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, qoftë në aspektin e kontrollit tatimor, ashtu edhe në vlerësimin e riskut, si dhe në një kontroll të disa komponentëve të tjerë që kanë të bëjnë me gjendjen parave “cash”, me regjistrin e tatimpaguesve, apo edhe me regjistrin e aktiveve afatgjata, materiale apo jo materiale”, u shpreh z. Haxhi.
Ndërkohë, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, vlerësoi konsultimin e projektligjit për Fiskalizimin në Këshillin Tatimor, në funksion të përmirësimit të draftit.
Takimi vijoi me marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve nga ana e anëtarëve të Këshillit Tatimor, të cilat do të shqyrtohen e më pas reflektohen në projektligj.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.