Mbledhja e përbashkët Shqipëri – Kosovë, reagon Serbia – “Rama ka vrarë bashkëpunimin rajonal”
Pas mbledhjes së dy qeverive Kosovë Shqipëri në Pejë, ku u nënshkruan plotë 9 marrëveshje bashkëpunimi, ka reaguar Serbia përmes ministrive përkatëse.
Ministrja e integrimit evropian të Serbisë Jadranka Joksimoviç ka deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë shqiptare dhe Prishtinës – duke përfshirë heqjen reciproke të taksave doganore dhe krijimin e një fondi të përbashkët veprimi të politikës së jashtme – shënojnë nisjen e një koncepti të aneksimit të të ashtuquajturës “Kosova është Shqipëri”.
“Sipas të gjitha pikave të marrëveshjeve të nënshkruara dhe të planifikuara – me theks në një fond veprimi të përbashkët të politikës së jashtme që synon arritjen e anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2025 – kjo do të thotë zgjerim territorial”, tha ajo për Tanjug.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe reagimi i ministrit të jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç.
Ai ka thënë se Shqipëria dhe Kosova nuk e fshehin më se po krijojnë një shtet të përbashkët dhe ka shtuar se deklaratat e kryeministrit Edi Rama për mbështetjen e Prishtinës kanë si qëllim krijimin e një “Shqipëri të Madhe”.
“Duke mbështetur bllokadën e Prishtinës për mallrat nga Serbia qendrore dhe Bosnja dhe Hercegovina, Rama “ka vrarë bashkëpunimin rajonal” dhe vlerat evropiane, ka thënë Daçiç.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.