Mbledhjet e FMN dhe BB, Sejko: Duam të zhvillojmë tregun e kapitalit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë javën e kaluar në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, që u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori zhvilloi takime me drejtues të lartë të dy institucioneve. Çështjet kryesore që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme, nisma në drejtim të deeuroizimit të ekonomisë dhe zhvillimi i tregut të kapitalit në vend.
Guvernatori Sejko shtoi se masat e ndërmarra, kanë dhënë efektet e tyre graduale, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj kredisë totale të zbresë në nivelin më të ulët që prej vitit 2011.
Guvernatori u shpreh se sistemi bankar shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë si dhe me një nivel të kënaqshëm kapitalizimi dhe likuiditeti. Stabilizimi i aktivitetit të sistemit bankar po shkon paralelisht me nismat e reja për të zhvilluar segmente të tjera të rëndësishme të tregut financiar.
Banka e Shqipërisë po punon me një porjekt për të zhvilluar tregun dytësor të titujve të qeverisë, ndërsa së shpejti pritet të nisë aktivitetin edhe bursa e parë private.
Guvernatori Sejko prezantoi Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Banka e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Sipas tij, ulja e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, mbeten të një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.