Mblidhen më shumë taksa mjedisore – Vlera në vitin 2019 arriti në 53 miliardë lekë, por sërish ambienti është i ndotur

INSTAT ka publikuar së fundmi të dhënat për tasksat e mjedisit në Shqipëri për vitin 2019. Të ardhurat nga këto taksa arritën në vlerën e rreth 53 miliardë lekëve, duke u rritur me 4,44 %, krahasuar me vitin 2018. Pavarësisht këtij fakti, të gjithë jemi dëshmitarë se situate ambientale në vend nuk është përmirësuar, përkundrazi. Ndotje të lumenjve, detit, plazheve, mjedisit në zonat e banuara, pyjeve, kryesisht nga dora e njeriut, por edhe e neglizhencës së autoriteteve përgjegjëse.
Janë ngritur disa agjenci vitet e fundit dhe më e rëndësishmja për të përmirësuar situatën sidomos në zonat turistike, për t’i vënë fre ndotjeve, u ngrit rreth 8 vite më parë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Dhe kur pritshmëritë ishin të larta, zonat urbane dhe ato turistike, kryesisht në rrethin e Durrësit dhe Kavajës, vijojnë të vuajnë një situatë të pazakontë në pikun e sezonit turistik. Duke iu rikthyer shifrav e zyrtare të sapo publikuara nga INSTAT për vitin 2019, rritja e të ardhurave ka qenë kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat e energjisë.
Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore për vitin 2019, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 84,55 %, pasuar nga taksat e transportit 10,42 %, taksat e ndotjes me 4,91 % dhe taksat e burimeve natyrore me 0,11 %. Gjatë vitit 2019, të ardhurat nga taksat e ndotjes janë rritur me 17,91 %, ndërkohë që të ardhurat nga taksat e burimeve natyrore janë rritur me 4,94 %. Gjatë së njëjtës periudhë, të ardhurat nga taksat e transportit janë rritur me 4,21 %, kurse të ardhurat nga taksat e energjisë janë rritur me 3,78 %.
Në vitin 2019, pesha e të ardhurave nga taksat mjedisore ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është 3,16 %, duke pësuar një rritje me 0,04 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018. Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2019, përbëjnë 12,53 % të të ardhurave tatimore gjithsej dhe kontributeve shoqërore duke pësuar një rritje me 0,33 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.