Mbretëresha e Britanisë Elizabeth II dhe Princi Philip vaksinohen kundër Covid – Grupmosha të rrezikuara
Mbretëresha e Britanisë Elizabeth II dhe burri i saj, Princi Philip janë vaksinuar me një vaksinë COVID-19, ka konfirmuar Pallati Buckingham.
Çifti mbretëror morën vaksinat e tyre të Shtunën në Kalanë Windsor, ku ata janë izoluar që nga fillimi i pandemisë.
Mbretëresha, 94, dhe Duka i Edinburgut, 99, të dy bien në grupmoshën me rrezik të lartë duke u dhënë përparësi për vaksinimin nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Mbretëresha “vendosi që ajo të bënte të ditur se e kishte bërë vaksinimin”, thuhej në deklaratën zyrtare.
Zyrtarët mbretërorë thanë se ata ndërmorën hapin e rrallë për të komentuar shëndetin e monarkut në mënyrë që të parandalonin pasaktësitë dhe spekulimet e mëtejshme.
Vaksinat u administruan nga një mjek nga Familja Mbretërore. Nuk dihet se çfarë vaksine i është bërë çiftit.
Më 8 dhjetor, Britania u bë vendi i parë në botë që filloi një vaksinim masiv kundër koronavirusit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar synon të shpërndajë dozat e para të vaksinës për rreth 15 milion njerëz në grupet kryesore me përparësi deri në mes të shkurtit. Kjo përfshin të gjithë mbi moshën 70 vjeç, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor në vijën e parë, banorët e shtëpive të kujdesit dhe cilindo që shëndeti i bën veçanërisht të prekshëm nga virusi.
Deri më tani, rreth 1.5 milion njerëz në MB kanë marrë një dozë të parë të vaksinës.
D.B – SCAN
Burimi: Euronews
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.