Mbretëria po “bie”- Ekonomia nën pritshmëritë, tkurret tregtia dhe konsumi
Ekonomia britanike ra me një hap më të shpejtë se vlerësohej më parë gjatë tremujorit të parë të vitit, si pasojë e konsumit dhe tregtisë. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Mbretërisë u rrit me vetëm 0.2% gjatë tre muajve të parë të vitit, ndërkohë që të dhënat paraprake flisnin për një normë në 0.3%.
Në tremujorin e fundit të 2016-ës, rritja fiksohej në 0.7%. Edhe në terma vjetorë ka ngadalësim, në 2%, nga 2.1% rritje që projektohej paraprakisht. Sektori i shërbimeve, që është edhe zëri kryesor në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, por edhe prodhimi, u rishikuan në territor negativ në krahasim me vlerësimet fillestare.
Raporti i fundit i zyrës së statistikave në Mbretëri tregon po ashtu se, eksportet ranë me 1.6% ndërkohë që tregtia neto fshiu 1.4 pikë përqindje të GDP-së, duke barazuar rekordin më të keq absolut.
Edhe shpenzimet konsumatore u dobësuan, pasi shpenzimet e familjeve dhanë kontributin më të dobët në ekonomi që prej vitit 2014. Kjo është shenja e parë e fortë se Brexit do të jetë një goditje e fortë për ekonomike britanike, pasi inflacioni i lartë së bashku me rritjen anemike të pagave po dëmtojnë konsumin.
Pas publikimit të të dhënave, Paundi britanik ndryshoi kurs, duke u tërhequr në territor negativ ndaj dollarit amerikan. Këto të dhëna vijnë vetëm tre javë përpara se britanikët t`i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mazhorancën e re qeverisëse.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.