Mbrojtja e klimës – Shqipëria, paketë ligjore brenda vitit 2018

Brenda vitit 2018 Shqipëria do të ketë gati paketën ligjore bashkë me aktet kryesore për mbrojtjen e klimatike.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit, kjo paketë synon dekarbonizimin e ajrit dhe ruajtjen e parametrave sipas marrëveshjes së Parisit.
Specialistët e mjedisit pranë ministrisë bëjnë të ditur për televizionin SCAN se për realizimin e kësaj marrëveshje po punohet jo vetëm në reduktimin e gazrave serë për ruajtjen e klimës, por edhe në ruajtjen e mjedisit.
Ligji ka në fokus zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, që Shqipëria e ratifikoi në Korrik të vitit 2016, për të cilën ka detyrime për t’u zbatuar. Në këtë ligj shprehen qartë edhe detyrat institucionale për të zbatuar angazhimet ndërkombëtare që ka vendi, por njëkohësisht edhe masat në nivel kombëtar, që lidhen me ndryshimet klimatike.
Të gjitha projektet që do të zhvillohen në fushën e bujqësisë, ujërave, blegtorisë etj. duhet të konsiderojnë ndryshimet e pritshme të klimës. Institucionet përkatëse duhet të angazhohen që në politikat e tyre të marrin në konsideratë edhe ndryshimet e klimës dhe zëri të shkoj në nivel komuniteti.
Ndërkohë 5 janë vendimet kryesore që duhet të përmbushen në bazë të marrëveshjes së Parisit. Së pari limitimi i ngrohjes globale nën 2 gradë Celcius, emetimi i Gazit Serrë duhet të ulet deri në zero, eliminimi i përdorimit të qymyrit, naftës dhe gazit për energji, lëndët djegëse fosile të zëvendësohen me energji nga dielli dhe era dhe e fundit vendet e zhvilluara duhet të japin 100 miliardë dollarë në vit që prej vitit 2020 për të ndihmuar vendet në zhvillim.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.