Mbrojtja e konsumatorëve – Rregullorja e re e AKEP qëndron pezull prej një viti
Rregullorja e re për mbrojtjen e konsumatorëve ka një më shumë se një vit që fle në sirtarët e AKEP. Në maj të vitit të kaluar, projekt-rregullorja që u hodh në konsultim publik sillte disa risi të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në raport me ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike. Rregullorja e re duhet të vendosë detyrime të qarta për përmbajtjen e kontratave të pajtimtarëve, përfshirë detyrimin për ofrimin e përmbledhjes së tyre dhe saktësime për kohëzgjatjen, rinovimin dhe përfundimin.
Një risi tjetër shumë e rëndësishme ishte edhe transparenca lidhur me shpejtësinë e lidhjes së internetit, sidomos për linjat fikse. Shpesh shpejtësia reale e lidhjeve të internetit është shumë më e ulët se ajo e përcaktuar në kontratë, ndaj operatorët duhet të përcaktojnë në kontratë shpejtësinë minimale që përdoruesi do të përfitojë.
Dokumenti i ri përcakton gjithashtu standarde për sistemin e faturimit dhe saktësinë e tij, si edhe rregulla më të qarta për trajtimin e ankesave nga operatorët dhe mbajtjen e rekordeve të tyre.
Një risi e rëndësishme është edhe krijimi i bazës së të dhënave për regjistrin “mos më telefono” për të bllokuar thirrjet e pakërkuara nga kompanitë tregtare. Telefonatat e padëshiruara të marketingut janë bërë shqetësuese, sepse bizneset telefonojnë dhe ofrojnë blerjen e produkteve apo shërbimeve, pa marrë asnjë autorizim paraprak.
Megjithëse konsultimi publik ka përfunduar që në mesin e vitit të kaluar, Këshilli Drejtues i AKEP ende nuk e miratuar rregulloren. Ky nuk është rasti i vetëm i vonesave të skajshme dhe, në disa raste edhe në shkelje të ligjit, lidhur me miratimin e dokumenteve rregullatore nga AKEP. Raste edhe më flagrante janë analizat e tregjeve të telefonisë celulare, që u hodhën për konsultim publik qysh në prill të vitit të kaluar, ende sot e kësaj dite nuk janë miratuar.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.