Mbrojtja e mjedisit – Shpenzimet, sa 4% e të ardhurave nga taksat

Shqiptarët i paguajnë çdo vit qeverisë taksa për mjedisin në rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, paratë që paguhen në forma të ndryshme për ndikimin në mjedis nga qytetarët apo bizneset për vitin 2015 ishin afro 40 miliardë lekë.

Por, nëse i krahasojmë këto të ardhura me shpenzimet direkte që bën qeveria për mbrojtjen e mjedisit, raporti tregon shpërpjesëtim të thellë.
Kështu, për të njëjtin vit, 2015, shpenzimet në funksionin qeverisës të mbrojtjes së mjedisit ishin vetëm 1.7 miliardë lekë. Kjo do të thotë që, nga 100 lekë që mbledh qeveria shqiptare nga taksat mjedisore, vetëm 4 lekë shkojnë si shpenzime për mbrojtjen e mjedisit.
Në taksat mjedisore përfshihen ato të lidhura me energjinë dhe kryesisht me karburantet, taksat e transportit, taksat e ndotjes dhe taksat për shfrytëzimin e burimeve natyrore. Pjesa dërrmuese e të ardhurave sigurohen nga taksat mbi karburantet dhe mbi përdorimin e automjeteve.
Gjatë vitit 2015, të ardhurat nga taksat mjedisore pësuan rënie, që i detyrohet pikërisht të ardhura nga taksat e karburanteve, por gjithsesi, ato mbajnë një peshë të rëndësishme në strukturën e të ardhurave buxhetore, me rreth 12% të totalit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.